Nga Kadri Sherifi
http://kanuniineglizhences.blogspot.com/
Kujt i shkrepi të na ndajë neve shqiptarëve në tri kategori sipas besimit fetar: katolikë muslimanë, ortodoksë (sipas radhës alfabetike) pa menduar se përjashton shumicën? Nëse patjetër duhet të ndahemi në tresh, le të ndahemi ndryshe me kusht që të bashkohemi prap në fund të këtij shkrimi. Pra, të provojmë për disa çaste ndarjen si vijon: shqiptarët, fetarët dhe gënjeshtarët.
Të parët (shqiptarët në kuptimin fetar që nga Vaso Pashë Shkodrani e këndej) për hir të bashkimit kombëtar, nuk kanë nevojë për një fe tjetër pëveç shqiptarisë për tu lidhur me Zotin. Njerëzit e këtij soji i duan të gjitha fetë nësoj dhe mu për këtë arësye nuk futen në njërën për të mos i bërë konkurrencë tjetrës. Besojnë se Zoti i do ata mu kështu. Çka është më e keqja, ata mendojnë se janë imazhi i vetë Zotit sepse Zoti i do pikërsiht të gjitha fetë njësoj.
Të dytët janë fetarët. Ata besojnë se duhet të bëjnë pjesë në një fe. Vetëm një. Ta mbrojnë atë (Nga kush? Nga çka?) Sipas tyre, e gjithë dituria: ekonomia, dietetika, seksologjia, lekologjia, eurologjia, dollarologjia... e kanë çelësin në librin e tyre të shejtë. Disa, nganjëherë, shprehen në gjuhë të huaja për arësye misticiteti e jo pse kanë nënçmim ndaj gjuhës shqipe! Zoti na ruajtë! Të flasim nga del shpirti, edhe kur shprehen shqip është pak vështirë t’iu kapet mendimi nga filli ose nga bishti: Fetarët, jo vetëm se besojnë se në atë që besojnë është e vërtetë por janë të bindur se çka besojnë se është e vërtetë, është me të vërtetë e vërtetë...
Të tretët janë të vertetët. Do të thotë: gënjeshtarë të vërtetë. Ata, për të mos shokuar fetarët, paraqiten se kanë fe. Për të mos shokuar tjetrin paraqiten ndryshe. Pastaj, kur mësohen të gënjejnë në lidhje me fenë, ose për shak të paqes dhe altruizmit, vazhdojnë të gënjejnë edhe për gjëra të tjera: të gënjejnë shkurt e shqip. Simpatia ndaj tyre rritet e rritet sepse njerëzit e shohin veten e tyre në ta dhe sikur sigurohen, sikur prehen... Në këtë mënyrë formohet kategoria e pazëvendësueshme pa të cilën jeta është e pamundshme. Pa gënjeshtarët, kush do të na udhëhiqte, kush do të na ushqente, kusht do të na donte, kush do të na dashuronte...?
Dikush mund të thotë se nuk kemi aq shumë gënjeshtarë sepse e kemi besën tradicionale apo fjalën e nderit e cila na dallon në botë si popull qe shumë shekuj. Mu kjo dukuri është shumë shqetësuese! Tipari dominant i identitetit tonë i paska rrënjët thellë në histori! Besa jonë tradicionale e konfirmon këtë gjë! Ai që nuk gënjen nuk nevoje të betohet, as të bëjë be, as të japë besën. Besa është përdorur ose për ta mbuluar (dyfishuar!!) gënjeshtrën ose si ilaç kundër gënjeshtrës mu si aspirina kundër dhimbjes së kokës. Kush përdor aspirina kur nuk ka dhimbje koke? Imagjinoni sot komercializimin e një lloj pilule me markën “Besa” për të shëruar popullatën. Sa uzina do të nevojiteshin anë e mbanë Arbërsië? Çdo sektor tjetër do të paralizohej. Imagjinoni turma të tëra punonjësish në pushim mjeksor. Ndërkohë, kush do të punonte, kush do të na edukonte, kush do të na donte, kush do të shkruante, kush do të paguante për bashkësitë fetare...?
Sikur na impresionuan pak tepër gënjeshtarët dhe i lamë nën hije fetarët. Kur themi “fetarët”, të merremi vesh se është fjala për të gjitha fetë pa përjashtim. Fundi i fundit, tek ne nuk ka fe dominante. Si mund të ketë fe dominante tek shqiptarët kur të tri fetë së bashku përbëjnë një minoritet? Thënë nga zemra, është mëkat të qahemi me fetarët shqiptarë e sidomos ndaj shprehjes se respektit ndërfetar me të cilin na nderojnë në botë. A e dini çka thonë disa fetarë shqiptarë me ata altoparlantët e vjetër disa herë në ditë në një gjuhë të huaj? Përkthimi i saktë fjalë për fjalë është ky: “Mos flisni keq për fetë tjera sepse ka rrezik se dikush u beson thënjeve tuaja! Një fe vlen atë që besimtarët e saj thonë për fetë tjera!”
Sa u përket altoparlantëve të këqinj (bëhet fjalë për cilësinë e keqe të altoparlantëve) kjo formë e shprehjes nuk është e detyruar fare në fenë e cila shprehet në këtë formë sepse altoparlantët nuk kanë egzistuar kur është shpikur ajo. Është vetëm aspekti “reklamë” i fesë. Përkundrazi, kjo praktikë mund të ketë efekt negativ, sidomos te gënjeshtarët shqiptarë të cilët gënjejnë gjithashtu se janë gjeografikisht në Evropë, se zhurma e keqe mund të pengojë qetësinë dhe paqen e qytetarëve (sikur qytetarët të kishin rëndësi në krahasim me fenë!) se gjuha shqipe nuk respektohet edhepse është zyrtare... e gënjeshtra të tilla pa asnjë kuptim! Padrejtësisht, egziston rreziku që gënjeshtarët të hidhërohen e të anëtarësohen sheshit në fenë shqiptare dhe të mos i paguajnë më kurrë anëtarësinë fesë fetare vetëm e vetëm për t’iu ulur volumin atyre krr, krrr, krrrr... të altoparlantëve. Çka presin? Feja nuk ka nevojë as për anëtarësim as për anëtarë të cilët kanë më të voglin dyshim në praktikat e saj perfekte!
Tani, çka u nda duhet të bashkohet, siç u premtua në fillim. Mixha Ramë i bekoftë të gjithë së bashku pa dallim: shqiptarët, fetarët dhe gënjeshtarët! Thënja: “Feja e shqiptarit është shqiptaria” është bërë motoja jonë zyrtare e cila na përfaqëson si komb në botë. Ajo është bashkuese dhe gjithëpërfshirëse pa pasur nevojë për altoparlant as daulle. Në dukje të parë, sikur kjo thënje e favorizon një çikë kategorinë e parë, do të thotë, shqiptarët. Mirëpo, mendoni pak dhe bëni ndërlidhjen duke e prekur rradaken para se të kërceni në përfundim: Edhe fetarët janë shqiptarë, së paku aq sa janë gënjeshtarët fetarë.
KadriSherifi.com
Nënshkruajeni peticionin "Kanuni i Neglizhencës"
http://www.ipetitions.com/petition/kanuniineglizhences